Protesta te Unaza e Re, banorët bllokojnë rrugën, arrestohen 2 protestues, procedohen 20 të tjerë

  • 6 years ago
TIRANË- Është zhvilluar dita e 26-të e protestës së banorëve të Astirit tek Unaza e Re. Banorët kanë bllokuar rrugën, ndërkohë që policia e Shtetit ka arrestuar 2 protestues si edhe ka proceduar në gjendje të lirë 20 të tjerë për aktet e vandalizmit që kryen ditën e djeshme në protestë, ku protestuesit rrëzuan blloqet e betonit, rrethimin e kantierit, shkulën tabelat e sinjalistikës rrugore dhe dogjën koshat e plehrave.

Në mbështetje të banorëve, të cilët veç mosprishjes së banesave kërkonin edhe lirimin e dy të arrestuarve ishin sërish deputetët e Partisë Demokratike, ndërkohë që nuk pati ndërhyrje nga policia.

"Duam mbështetje, nuk tërhiqemi"-janë thirrjet që dëgjohen në protestën e banorëve.

Protesta e banorëve të Astirit është mbështetur nga Partia Demokratike dhe kryetari Lulzim Basha që prej ditës së parë. Banorët kundërshtojnë ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, pasi sipas tyre ky projekt prek shtëpitë e tyre. ARRSH ka sqaruar se banesat për të cilat kundërshtojnë banorët janë të palegalizuara, ndërkohë që Bashkia Tiranë ka ofruar zgjidhje për ta, bonusin e qirasë dhe strehimin nëpër banesa sociale. Protesta zhvillohet në një kohë kur IKMT vazhdon shembjen e banesave dhe pastrimin e zonës për të bërë të mundur nisjen e punimeve.

Recommended