Rikonstruktohet kopshti në lagjen Semes, Balla: Librazhdi ka në drejtim një njeri të përkushtuar

  • 5 years ago
Bashkia e Librazhdit ka bërë të mundur rikonstruksionin total të kopshtit në lagjen Semes në periferi të qytetit ku edukohen një numër i konsiderueshëm fëmijësh.

Në hapjen e tij ishte dhe kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla përgëzoi Kryetarin e Bashkisë së Librazhdit Z. Kastriot Gurra për punën e shkëlqyer në drejtimin e bashkisë për 4 vite:

"Në krye të Bashkisë së Librazhdit kemi pasur një njeri shumë të përkushtuar, siç është Kastrioti, i cili ka ditur, si një kryefamiljar i mirë i një familje të madhe, t'i ndajë ku janë nevojat.

Pas qendrës shëndetësore, kopshtit, pas sistemimit të qendrës së lagjes, pas sistemimit të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të ujërave të zeza, besoj që bashkia ka shlyer detyrimet e veta.

Megjithatë, për të gjithë ne çështja më e rëndësishme mbetet ajo e punësimit ku kemi plot të rinj e të reja të cilët janë pa punë dhe beteja jonë me punësimin është një betejë të cilën duhet ta fitojmë së bashku" deklaroi Balla.

Kryetari i Bashkisë, Kastriot Gurra po ashtu vuri theksin tek investimi në vijim, ai për ujin e pijshëm duke garantuar, jo vetëm furnizimin pa ndërprerje të kësaj lagjeje, por edhe cilësinë e ujit të pijshëm:

"Semsa është një lagje e qytetit dhe gjatë këtyre viteve kemi investuar në qendrën shëndetësore, në kopshtin e fëmijëve, pasi godina ishte tërësisht e amortizuar. Jemi në përfundim të punimeve tashmë për riparimin e ujësjellësit të fshatit i cili pothuajse është bërë nga e para dhe besoj brenda muajit Mars të gjithë banorët e këtij fshati do të kenë ujë të një cilësie të lartë dhe me një rrjet shpërndarës të garantuar.

Qartazi, dhe çdo ditë jemi pranë njerëzve për të garantuar sa më shumë shërbime për ta.", u shpreh Gurra.

Recommended