Emisioni 112, ep 34 - Të dehurit thyejnë sendet e lokaleve dhe konfliktohen, i arreston policia
  • 4 years ago
Në episodin 34 të "112" do të ndiqni: Të dehurit thyejnë sendet e lokaleve dhe konfliktohen, i arreston policia.
VIDEO/Tentoi të vetëdigjej para Kryeministrisë, pamjet e plota, çfarë u thotë djali policëve.

Në episodin e kësaj të shtune transmetojmë dy ngjarje të ndryshme ku dy persona në gjendje të dehur kanë thyer sendet dhe orendi të dy lokaleve në kryeqytet. Ngjarjet kanë ndodhur gjatë kësaj jave ndërsa dy personat janë ndaluar nga policia dhe janë shoqëruar në komisariat pas denoncimit të pronarëve. Në këtë episod sjellim edhe ngjarjen e plotë, të filmuar nga kamerat e sigurisë dhe kamerat e trupit të policisë nga ndalimi i 39-vjeçarit që tentoi të vetëdigjej të shtunën e kaluar para kryeministrisë.

Gazetar: Antonio Çakshiri
--------------------
TIRANË - Emisioni 112 transmeton pamjet e prangosjes së dy personave në kryeqytet pasi në gjendje të dehur ata kanë dëmtuar lokalet ku ndodheshin. Ngjarja e parë ka ndodhur në Kombinat ku një djalë i ri pasi ka thyer sende dhe orendi në lokal është konfliktuar edhe me persona të tjerë. Banorë të zonës thirrën policinë e cila përballet me një situatë të befasishme në këtë rast. Vëllai i personit të dehur po përpiqej që ta merrte atë në banesë por mes dy vëllezërve fillon një konflikt me grushte në ashensor. Policisë si mbetet gjë tjetër veçse t'i shoqërojë të dy në komisariat.

Ngjarja tjetër ka ndodhur në "Ali Dem" ku një person rreth 60-vjeç në gjendje të dehur ka dëmtuar lokalin dhe më pas është larguar. Me patrullën që reagon në këtë rast jemi edhe ne, ndërsa në momentet kur efektivët po merrnin të dhënat nga pronarja e lokalit, personi kalon aty pranë sërish, ai kapet dhe prangoset nga policët dhe shoqërohet në polici.

Në fillim të këtij episodi të 34-të risjellim ngjarjen ku një djalë tentoi të vetëdigjej para godinës së kryeministrisë të shtunën e kaluar. Përgjatë këtij episodi transmetojmë për herë të parë pamjet e regjistruara nga kamerat e trupit të policisë. Në pamjet e plota ju tregojmë se çfarë u thotë djali punonjësve të njësisë Shqiponja teksa ai shoqërohet në Komisariatin Nr. 1. Për shkak të benzinës që kishte hedhur, atij i digjnin sytë ndërsa bërtet teksa efektivëve përpiqen ta ndihmojnë duke i hedhur ujë, deri në mbërritjen e ambulancës që e dërgon në spitalin Nr.5. Shikoni pamjet e plota.

Burime nga policia thanë se 39-vjeçarit i ishte hequr patenta për shkelje të qarkullimit rrugor ndërsa ai punonte si taksist. Në kushte të rënduara psikologjike tentoi të kryente aktin ekstrem por u parandalua në kohë nga punonjësit e Gardës së Republikës dhe policisë.
Recommended